Historiku
Hapat Kryesorë
- 1Ligji nr. 111/2018 “Për kadastrën”
- 2Ligji nr. 20/2020 “Për proceset kalimtare”
- 3Digjitalizimi i Arkivës
KRIJIMI DHE VEPRIMTARIA
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) është person juridik publik në varësi të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, e krijuar në zbatim të ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”. Ky ligj shënoi bashkimin e tre institucioneve kryesore të administrimit të pronës – ZVRPP-ve, ALUIZNI-t dhe AKKP-së – duke krijuar një strukturë të vetme, të integruar dhe moderne për menaxhimin e të gjithë informacionit kadastral dhe proceset e pronësisë në vend.
Fusha e veprimtarisë dhe roli ligjor
ASHK ka si objekt kryesor krijimin, administrimin dhe regjistrimin e titujve të pronësisë, të dhënë sipas akteve ligjore dhe nënligjore për pronësinë. Institucioni vepron në mbështetje të:
- Ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”
- Ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”
- Akteve nënligjore që rregullojnë regjistrimin e pasurive, standardet teknike të hartave kadastrale, procedurat e legalizimit dhe proceset administrative me subjektet.
Në përputhje me nenin 193 të Kodit Civil, pronësia, lloji i pasurisë dhe kufijtë e saj dokumentohen mbi bazë të aktit të fitimit të pronësisë, të cilët regjistrohen dhe pasqyrohen në Regjistrin Kadastral të Shtetit.
Organizimi institucional
ASHK organizohet në:
- Nivel qendror, përmes Drejtorisë së Përgjithshme në Tiranë, e cila drejton politikat, përcakton standardet dhe monitoron proceset;
- Nivel vendor, përmes drejtorive dhe zyrave vendore në të gjithë Republikën e Shqipërisë, të cilat ofrojnë shërbime dhe proceset administrative për qytetarët.
Struktura e integruar i mundëson institucionit të ofrojë shërbime më të shpejta, një regjistër unik dhe të unifikuar, si dhe menaxhim më efikas të të dhënave të pronësisë.
Fushat kryesore të veprimtarisë
1. Pajisja me tituj pronësie
ASHK është institucioni përgjegjës për finalizimin e të gjitha proceseve kalimtare të pronësisë në zbatim të ligjit 20/2020, përfshirë: Legalizimet e objekteve informale, Trajtimin e objekteve të ndërtuara para vitit 1991 dhe oborrin/truallin funksional, Kalimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi.
2. Konsolidimi i Regjistrit Kadastral
Kjo mbështetet përmes: Regjistrimit fillestar (proces themelor për pasuritë që nuk janë regjistruar më parë), Përmirësimin dhe përditësimin e hartave kadastrale, Digjitalizimin e dokumentacionit për të garantuar akses, transparencë dhe siguri të të dhënave.
3. Regjistrimi i pasurive të paluajtshme
ASHK administron Regjistrin Kadastral për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke pasqyruar: Aktet e pronësisë, Ndryshimet e pronësisë, Transaksionet e shitblerjes, Kufijtë dhe tipologjitë e pasurive.
4. Ofrimi i shërbimeve kadastrale
ASHK ofron 74 shërbime kadastrale për qytetarët, bizneset dhe institucionet, ndër të cilat: Certifikatat e pronësisë, Fragment të hartës kadastrale, Kartelë pasurie, Vërtetime, ekstrakte dhe informacione zyrtare.
Misioni
"Misioni i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është garantimi i sigurisë juridike të pronës, si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe urban të vendit. ASHK synon të ofrojë një sistem kadastral të besueshëm, të saktë dhe të digjitalizuar, që mbron të drejtat e pronarëve dhe nxit zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme, investimeve dhe ekonomisë kombëtare."
Keni pyetje apo nevojë për asistencë?
Na kontaktoni dhe ekipi ynë do t’ju ndihmojë me kënaqësi.
